LIVE UPDATES
Ekonomi

Paradoksi, turizmi në rekordin e rritjes, bujqësia të rënies

Në katër vitet e fundit, vendi ynë është vizituar nga 35 milionë turistë, të cilët kanë ndikuar pozitivisht në konsum. Në anën tjetër, ritmet e rënies së prodhimit janë përshpejtuar me rritjen e turizmit duke hyrë në vitin e pestë të recesionit. Hotelet dhe restorantet po e ndihmojnë, pasi në mungesë të tyre, rënia do të ishte edhe më e madhe. Ekspertët pohojnë se duhet nxitur sektori i agroindustrisë dhe agroturizmi.

19 Korrik 2025, 07:16 Nga M.B
Paradoksi, turizmi në rekordin e rritjes, bujqësia të rënies
Foto ilustruese

TIRANA- Shqipëria po thyen rekorde vizitorësh të huaj, ndërsa bujqësia, në anën tjetër, po thyen rekordet e rënies së prodhimit. Mishi i dhisë e djathi i bardhë nuk arrijnë dot në tavolinat e hoteleve, sepse çmimi i paketës turistike duhet të jetë sa më i lirë. Në katër vitet e fundit, vendi ynë është vizituar nga 35 milionë turistë, të cilët kanë ndikuar pozitivisht në konsum. Në anën tjetër, ritmet e rënies së prodhimit janë përshpejtuar me rritjen e turizmit duke hyrë në vitin e pestë të recesionit. Hotelet dhe restorantet po e ndihmojnë, pasi në mungesë të tyre, rënia do të ishte edhe më e madhe. Ekspertët pohojnë se duhet nxitur sektori i agroindustrisë dhe agroturizmi. Ja modelet më efikase.

Drita, e cila mbarështon një tufë me rreth 260 krerë dele e dhi jo shumë larg zonave turistike të Shëngjinit dhe Velipojës, ka vështirësi të gjejë treg për prodhimet e saj – mish dhe bulmet. Mishi me 600 lekë kilogrami peshë e gjallë (1200 lekë gati për konsum) nuk parapëlqehet nga hotelet të cilat furnizohen nga importi me çmim gati 50% më të lirë.

Përpjekjet rezultuan të kota për të siguruar një blerës për të shitur qengjat dhe kecat për mish. Në të njëjtën situatë janë edhe fermat përreth. Blegtorët, që gjithë kohës kujdesen për tufat, nuk mund t’i gjejnë blerësit as me pakicë për shkak të mungesës së informacionit dhe largësisë me zonat urbane.

Nga ana tjetër, Shqipëria është duke përjetuar vitet e arta të popullaritetit në turizëm. Me vizitorë në rritje nga e gjithë bota që kryesisht e pëlqejnë vendin tonë për çmimet e ulëta dhe bukuritë natyrore, qytetet dhe fshatrat e tona tani kanë shumë mundësi të gjenerojnë të ardhura dhe punësim.

Në katër vitet e fundit Shqipëria është vizituar nga 35 milionë turistë, sipas të dhënave zyrtare, të cilët kanë ndikuar në pozitivisht konsum. Në anën tjetër, në prodhimin vendës, sidomos në bujqësi dhe blegtori, janë përshpejtuar rimet e rënies me rritjen e turizmit.

Të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti treguan se prodhimi bujqësor pësoi rënie me 2.7%, teksa sektori hyri në vitin e pestë të rënies. Hotelet dhe restorantet po e ndihmojnë, pasi në mungesë të tyre, rënia do të ishte edhe më e madhe. Fatos Çerenishti, i cili zotëron “FAFA Resort”, një nga strukturat akomoduese më të mëdha në vend, tha se frutat dhe perimet i merr 100% nga vendi, kurse pjesa tjetër e produkteve është import.

Në vend, ai siguron 30% të mishit dhe 70%, nga importi. “Ne ofrojmë paketa ‘all inclusive’ dhe në shumë raste shpesh alternativa që zgjedhim varet edhe nga çmimi, nëse do t’i drejtohemi importit apo vendit”, tha ai.

Hotelet e kontaktuara pohojnë se për furnizimet ushqimore, gjithmonë zgjedhin prodhimin vendës për nivele të njëjta çmimi, por nëse importi është më i lirë, atëherë bëhet alternativë kryesore për furnizim.

Zhvillimet paradoksale të turizmit në rritje dhe bujqësisë në rënie do të vijojnë më tej, sipas Alban Çakallit, fermer i cili po rikthen në jetë trashëgiminë bujqësore duke kultivuar varietete të rralla autoktone nëse nuk zhvillohet sektori i agropërpunimit.

Hotelet konsumojë produkte të përpunuara si djathë, sallam, reçelra, salca, turshi etj., të cilat importohen më së shumti, duke bërë që një pjesë e madhe e fitimeve të hoteleve të dalin sërish jashtë për lëndët e para. Për Altin Pengën, i cili drejton agroturizmin “Mrizi i Zanave”, bujqësia vendëse mund të ndihmohet nga restorantet dhe hotelet duke zhvilluar receta bazuar në prodhim vendës me natyrë sezonale.

“Tani që është koha e patates së re, ajo duhet të mbizotërojë në menu, e kështu në kohën e vjeljes së qepës, perimeve etj. Një kuzhinë e bazuar në traditë e strukturon edhe prodhimin vendës”, tha z. Prenga, që bashkë me “Mrizin e Zanave” janë kthyer në një rrjet të edukimit të shërbimeve të agroturizmit të mbështetur në konsumin vendës.

Çmimet e ulëta të paketave turistike kufizojnë kërkesën për prodhim vendës

Prodhuesit dhe njësitë akomoduese argumentojnë se ka mospërputhje mes çmimeve të ulëta të paketave turistike dhe kostove të larta të prodhimeve bujqësore shqiptare. Çmimet e ulëta të restoranteve dhe hoteleve me çdo gjë të përfshirë kufizojnë kërkesën për prodhime vendëse.

Operatorët turistikë, për të qenë konkurrues në rajon, ofrojnë paketa shumë të lira. Aktualisht, një nga hotelet e mëdha në Durrës po shet një natë me tre vakte në rreth 40 euro për person. Një pjatë kryesore me mish ose peshk është ende më pak se 15 euro.

Kjo i shtyn hotelet dhe restorantet të ulin kostot në maksimum, shpesh duke blerë produkte të importuara më të lira dhe jo ato vendëse, të cilat kanë kosto më të larta për shkak të mungesës së subvencioneve efektive për fermerët. Fragmentimi i lartë i tokës, mekanizimi i ulët, kostot e rritura të karburantit, plehrave dhe inputeve të tjera i bëjnë prodhimet tona më të shtrenjta se importet.

Blegtorja Drita tha se fabrikat e përpunimit i kishin vënë kusht që të mos ofronte çmime më të larta se importi për qumështin (50 lekë kg aktualisht).

Por ajo po i përballon vetë të gjitha kostot, që nga shërbimet veterinare e deri te qiraja e tokave për kullota dhe prodhimin e misrit, teksa tregu i shitjes nuk është i sigurt, me luhatje. Tani rrezikohet tërësisht falimenti nga sëmundja e murtajës, teksa tufat janë në karantinë.

Profili i turistit që viziton Shqipërinë është shpesh buxhetor, me fokus te sasia dhe jo cilësia. Kjo i penalizon prodhimet cilësore shqiptare, sidomos ato të zonave rurale, që mund të ofronin fruta, perime, vaj ulliri, djathë apo verëra artizanale.

Edhe në zonat që ndërthurin turizmin me bujqësinë, mungesa e logjistikës, standardeve të ruajtjes dhe përpunimit, si dhe mungesa e bashkëpunimit mes fermerëve dhe sektorit të hotelerisë, sjellin për pasojë që prodhimi bujqësor të mos përfshihet drejtpërdrejt në ofertën turistike.

Shumë struktura turistike, sidomos në zonat bregdetare, janë në pronësi ose menaxhim të individëve apo kompanive që furnizohen në mënyrë të qëndrueshme nga importi ose rrjete të mbyllura furnizimi, duke shmangur tregun lokal bujqësor.

Për të kapërcyer këtë hendek, fermeri Çakalli tha se nevojitet një politikë kombëtare që forcon lidhjet mes turizmit dhe prodhuesve lokalë duke rritur vlerën e ofertës turistike nëpërmjet promovimit të produkteve vendëse dhe duke u dhënë fermerëve shqiptarë një treg të qëndrueshëm e të drejtë brenda vendit.

Agropërpunimi, hallka që mungon

Pjesa më e madhe e produkteve ushqimore që përdorin hotelet dhe restorantet janë të përpunuara ose gjysmë të përpunuara. Alban Çakalli, fermer i cili zbaton metoda të avancuara të kultivimit të kulturave autoktone bujqësore, thotë se bujqësia që nuk mbështetet në agropërpunim e ka shumë të vështirë të lidhet me turizmin. Në muajt e verës, turizmi krijon një kërkesë të lartë për prodhime, sidomos për ato të përpunuara të tilla si salcat e ndryshme, turshi, bulmet, mish, sallame, pije etj., por shumica e këtyre produkteve janë të importuara.

Në vendet fqinje, thotë z. Çakalli, prodhimi nga fusha deri te agropërpunimi përfiton nga taksa shumë më të ulëta në krahasim me ata shqiptarë, si dhe lëndën e parë e sigurojnë me çmime më të lira, pasi fermerët subvencionohen. Kjo i bën ata shumë më konkurrues në treg. Z. Çakalli thotë se kërkesa për produkte shtazore është e lartë, kryesisht sepse blegtoria në Shqipëri është në krizë të thellë.

Po ashtu, ndonjëherë rritet kërkesa edhe për perime të caktuara, por kjo ndodh për shkak të mungesës së një planifikimi të mirëfilltë të mbjelljeve sipas konsumit. Për pasojë, në periudhat e pikut të sezonit turistik ndodh mbingopje apo mungesë në treg. Sektori i industrisë përpunuese, ku bën pjesë agroindustria, pësoi rënie vjetore rekord me mbi 7% në tremujorin e parë të vitit 2025.

Vitin e kaluar industria përpunuese pësoi rënie me 6.1%. Përfaqësuesit e sektorit pohojnë se rënia do të vijojë pasi Shqipërisë po i ikin klientët nga rritja e kostove të brendshme dhe rënia e vlerës së Euros, teksa industria e përpunimit të ushqimeve po lidhet pak me hotelet për shkak të kostos së lartë me të cilat del prodhimi në Shqipëri.

P.sh., një kilogram qumësht i importit është barazuar me atë të vendit duke e bërë jokonkurrues për konsumatorin e rrjedhimisht, edhe për hotelet.

Gështenjat, boronicat e Tropojës tani po bëhen gliko dhe reçel nga biznesmeni Ardian Çitozi, i cili në të njëjtën kohë është një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës dhe frutave që rriten në gjendje të egër. Ai tha se aktualisht në të gjitha pikat e pakicës gjen shumëllojshmëri reçelrash të importuar.

Mirëpo për shkak të mungesës së mbështetjes financiare dhe ngarkesës së lartë fiskale, frutat që përpunohen në vend kanë kosto më të lartë se importi.

P.sh., hotelet në të gjithë vendin janë konsumatorë të mëdhenj të reçelit, i cili në një masë të madhe importohet nga Kina, me çmim shumë të lirë, në një kohë që mollët e Korçës kalben. Përpunuesit pohojnë se mungojnë incentivat vendëse që të lidhin bujqësinë me sektorin e turizmit.

Në mungesë të mbështetjes financiare mjafton edhe sensibilizimi ndaj hoteleve dhe restoranteve që të furnizohen me prodhime vendi. Skema e TVSH-së gjithashtu i pengon përpunuesit dhe shitësit e pakicës që të tregtojnë prodhim vendi.

Një dyqan në Tiranë që shet vetëm prodhime organike nga vendi është i rrezikuar në çdo moment, pasi nuk ka ku të shkarkojë TVSH duke qenë se klientët e tij janë prodhues të vegjël dhe shesin pa fatura.

Zhvillimi i agroindustrisë është një hallkë kyçe për një model të qëndrueshëm turizmi në Shqipëri. Pa një bazë prodhuese dhe përpunuese të fortë, turizmi do të mbetet i varur nga importet, ndërsa bujqësia do të vuajë nga mungesa e tregut të qëndrueshëm. Përfitimi i ndërsjellë kërkon një plan kombëtar për të integruar zinxhirin bujqësi-agroindustri-turizëm thotë z. Çakalli.

Disa masa që duhen sipas tij janë rritja e numrit të certifikimeve për produktet vendore; krijimi i më shumë tregjeve lokale në zonat turistike; organizimi i panaireve për të promovuar prodhimet lokale dhe artizanatin; përfshirja e prodhuesve në rrjete hotelerie, restorantesh, shoqatash etj; ulje taksash për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet prodhuesve dhe operatorëve të turizmit.

Z. Çakalli tha se sa më shumë të orientohen turistët drejt konsumit të prodhimeve vendëse, aq më shumë para do të qëndrojnë brenda ekonomisë shqiptare.

Agroturizmi, nyja lidhëse me turizmin

Agroturizimi është testuar si nyja më e mirë lidhëse ndërmjet prodhimit vendës lokal dhe tregut për zona të thella larg qendrave të mëdha urbane dhe tregjeve të mëdha. Italia është modeli më i mirë në Europë dhe jashtë saj si se politikat e bashkërenduara i kanë kthyer tokat larg detit në kryeqendra të turizmit, të tilla si Toskana.

Për fat, ky model i zbatuar me sukses nga “Mrizi i Zanave” po përhapet shpejt edhe në vendin tonë, por jo të gjitha bujtinat arrijnë të ofrojnë produkte vendëse. Altin Prenga, i cili drejton “Mrizin e Zanave” tha se prodhimi vendës është baza mbi të cilën duhet të zhvillohet turizmi i qëndrueshëm. Shqipëria do jetë zhvillojë një bazë solide, sipas tij, duke promovuar receta tradicionale me prodhime vendëse.

Në dy dekadat e fundit, “Mrizi i Zanave” ka ngjallur ekonominë e zonës duke e kthyer në një klastër të vogël artizanesh të prodhimeve bio. Janë ngjallur tufat, po lulëzojnë bujtinat e reja dhe emigrantët po rikthehen.

Z. Prenga sugjeron kolegët e tij që drejtojnë restorantet që të përfshijnë në receta dhe menu prodhime vendi të stinës. Në këtë mënyrë, vetë restorantet dhe hotelet bëjnë investime të dyfishta si në rritjen e të ardhurave të tyre, ashtu edhe në forcimin e ekonomisë lokale, e cila siguron qëndrueshmëri në afat të gjatë.

Zona të tilla si Fieri, Korça, Gjirokastra, Tropoja kanë potencial për të lidhur prodhimin bujqësor me agroturizmin. Ferma të vogla familjare, të mbështetura nga rrjete përpunimi dhe marketingu lokal, mund të furnizojnë restorantet dhe hotelet me produkte të freskëta dhe autentike.

Italia është shembulli që mund të ndiqet nga qeveria për nga politikat. Agroturizmi italian lindi në vitet ’80, si një politikë për të ndaluar braktisjen e fshatrave dhe për të mbështetur fermerët që ofronin strehim, ushqim dhe aktivitete kulturore për turistët.

Fermerët diversifikuan të ardhurat dhe tani shumë ferma mbijetojnë vetëm falë të ardhurave nga turizmi. Produkte si vera, djathi, ulliri etj., tani lidhen me origjinën gjeografike. Ndërkohë kjo u shoqërua me përmirësimin e infrastrukturës lokale rrugë, shërbime, internet.

Agroturizmet krijojnë treg të drejtpërdrejtë për prodhimin vendës dhe zhvillojnë “Made in Albania” për produktet lokale dhe gjithashtu ndikojnë në nxitjen dhe ruajtjen së biodiversitetit dhe kulturës agrare. Punësimi në zonat rurale rritet dhe emigracioni nga fshati frenohet.

Cikli i mbyllur, nga serra në tavolinë

Shumica e hoteleve në Shqipëri mbështeten te furnizues lokalë me kontrata, pasi ngritja e serrave kërkon hapësirë, investim dhe staf bujqësor të kualifikuar. Ndryshe nga agroturizmi, këto hotele nuk u ofrojnë turistëve përvojën bujqësore si pjesëmarrje në vjelje, degustime në fermë etj. Ata thjesht e përdorin prodhimin për kuzhinën e brendshme për të rritur freskinë dhe për të ulur kostot.

Por ka disa resorte të mëdha në vend të tilla sa “Rafaelo Resort” dhe “Klajdi Resort” që kanë ngritur serrat e veta me të cilat i përdorin për restorantet e resorteve. Osman Kokoshi zotëron një nga strukturat më të mëdha hoteliere në zonën e Golemit.

“Klajdi Resort” është shembulli se si një hotel i madh e ka lidhur zinxhirin e furnizimit me prodhimin vendës. Përpara se të rriste kapacitetet në hotel, z. Kokoshi ka investuar në një serrë në të cilën prodhohet e gjithë lënda e parë që i duhet hotelit. “Kam ngritur edhe baxhon dhe kam mjete lundruese që nxënë peshkun që i duhet hotelit”, – tha zoti Kokoshi.

Përveç perimeve, bulmetit, shpendëve ai e merr nga tregu i brendshëm të gjithë mobiliet dhe tapiceritë e hotelit. “Të gjitha mobiliet i marr nga prodhuesit e Durrësit dhe tapiceritë i blej nga vendësit.

Gjithçka lidhet me hotelin e prodhoj vetë ose e blej në tregun tonë, tha z. Kokoshi. “Klajdi Resort” është shembulli se si turizmi mund të lidhet me ekonominë e brendshme dhe mund të rrisë edhe fitimet e hotelit.

“Rafaelo Resort” gjithashtu ka ndërtuar një serrë të madhe që prodhon për nevojat e hotelit të gjitha perimet, teksa furnizohet nga tregu vendës për pije, birra dhe bulmet.

Resortet e reja luksoze (p.sh. projektet Hyatt/Green Coast në bregdet) po përfshijnë parcela bimore ose serra të vogla për erëza, por për kultivimin e gjerë të fermës për vetëfurnizim.

Shumica e hoteleve të mëdha duan të furnizohen me prodhime vendi, por ato nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. “Për fruta-perimet veprojmë në dy mënyra. Një pjesë e marrim te fermerët me të cilët kemi kontrata paraprake, pra flas këtu për bostan, rrush, domate e të tjera.

Për ato që nuk i plotësojmë dot me këto kontrata i marrim nga tregu në Lushnjë. Kam vite që lidh kontrata paraprake në mënyrë që ta kem produktin të garantuar. Bulmetrat – qumësht, kos, djathë – i marr nga kompanitë shqiptare”, tha Fatos Çerenishti nga “FAFA Resort”./ Monitor

turizmi bujqesi

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje