31 Dhjetor 2022, 19:25
Nga Ben Blushi
Imagjinoni sikur jeni mbi detin Adriatik dhe filmoni vazhdimisht një anije që është nisur 30 vjet më parë nga bregu lindor për të shkuar në Perëndim.
Është Shqipëria.
Shqipëria i ngjan një anije e cila është nisur por nuk po mbërrin në destinacion. Gjatë këtij udhëtimi që mund të zgjasë edhe 40 vjet, pra edhe 10 vjet të tjera, kanë ndodhur shumë gjëra siç ndodh zakonisht në çdo anije kur marinarët janë të varfër, të pamësuar dhe ku komanda ndryshon shpesh për shkak të betejave të brendshme.
Ka ndodhur që anijen e ka drejtuar dikush, i cili e ka kthyer timonin në drejtime të tjera dhe kjo fatkeqësi, që është përsëritur e ka shtyrë mbërritjen edhe më shumë.Por grindjet e brendshme, nuk kanë qenë përherë paqësore.
Një herë pasagjerët dhe marinarët u ndanë keq në dy grupe dhe morrën armët kundër njëri- tjetrit siç ndodh shpesh nëpër filmat me piratë, kur palët bëjnë luftë mbi kuvertë apo ca të marrë ngjiten nëpër direkë dhe shqyejnë velat duke u hedhur nga lartësitë e qiejve mbi kokat e kundërshtarëve, të cilët deri dje i kishin shokë.
Kur kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi, në vitin 1997, anija e Shqipërisë u dëmtua shumë rëndë nga të shëtnat, nga rrëmbimet, nga zjarret, nga dhuna dhe kaosi saqë lundrimi u bë i pamundur dhe Shqipëria ndaloi. Atëherë u desh që nga Perëndimi të vijnë anije të tjera për ta ndihmuar të riparohet dhe të rinisë udhëtimin, që ende vazhdon.
Sot që flasim anija me emrin Shqipëri, që sipas kalendarit të portit ka lënë brigjet shqiptare në datën 8 dhjetor 1990 vazhdon lundrimin duke kaluar dallgë të vogla por herë pas here edhe të mëdha që vijnë nga vetë Perëndimi ku ajo përpiqet të shkojë.
Në jetën e detrave vetëm Odisea ka lundruar pothuajse kaq gjatë. Udhëtimet e tij zgjatën 25 vite. Por aventurat e Odiseut ishin më të lehta dhe shpesh shumë të bukura. Kurse Shqipëria, ka pësuar humbje të mëdha. Në 30 vjet, më shumë se një e treta e pasagjerëve dhe marinarëve e kanë braktisur anijen. Shumë të tjerë kanë vjedhur ushqimet dhe sendet dhe me varka të vogla i kanë cuar nëpër shtëpi. Një pjesë e madhe sot janë të lodhur apo janë plakur dhe besimi se Shqipëria do mbrrijë ndonjëherë në Perëndim i ka lënë me kohë.
Aktualisht në anije shumica është e palumtur. Udhëtimi ka qenë i gjatë dhe shumë i ngadaltë. Ata që ishin fëmijë kur Shqipëria u nis, sot janë burra dhe gra që duhet të bindin çdo ditë fëmijët e tyre, të kenë dhe pak durim dhe mos ikin me not, për ta lënë anijen. Pleqtë janë shtuar dhe nevojat e tyre për kujdes, shërim dhe ilace i marrin buxhetit të përbashkët shumë energji dhe poaq kohë. Gjithmonë e më pak fëmijë lindin në anije duke rritur dyshimet se, kur Shqipëria të arrijë në Perëndim, numri i udhëtarëve të saj do jetë edhe më i vogël nga ç’është sot.
Tani që flasim moti është i mirë, përreth anijes janë shtuar jahtet dhe varkat me vela, nëpërgjithësi ushqimet dhe kënaqësitë teknologjike nuk mungojnë, tregtarët e lindjes sjellin mallra dhe blejnë erë, nga Perëndimi janë shtuar delegacionet që premtojnë mikpritje, e me pak fjalë gjërat nuk duken keq.
Ai që mungon është besimi. Dhe sigurisht lumturia e pasagjerëve. Ata kanë kohë që nuk janë të lumtur. Rrinë në kuvertë kur është kohë e mirë dhe duke parë yjet mendojnë se ajo që vjen nuk dallon shumë nga ajo që po ikën. Numërimi i viteve në këto raste bëhet i kotë. Numrat e viteve të fundit kanë qenë me shumë dysha dhe është e vështirë të dallosh njërin nga tjetri.
Edhe viti 2023 që hyn për pak nuk pritet të sjellë ndonjë gjë ndryshe nga 2022 apo 2021.
Kështu mendojnë udhëtarët, kështu mendoj dhe unë.
Nëse do duhej të bëja një udhëtim në të ardhmen, pra në vitin 2023 nuk kam çfarë parashikoj sepse shumë pak ka për të ndodhur.
Anija nuk do lundrojë shumë shpejt sepse ata që duhet të vozisin janë të lodhur, por për fat nuk do ndalojë sepse ata që duan ta ndalojnë janë edhe më të lodhur dhe taktikat e tyre të frenimit janë vjetëruar.
Unë po përpiqem ta shoh Shqipërinë nga lartësitë e qiejve të Adriatikut duke matur shpejtësinë e lundrimit dhe trajektoren,pra drejtimin, sepse nuk dua ta ul syrin e kamerës më poshtë mbi ndodhitë e jetës e përditshme , konfliktet, grindjet, vjedhjet, tradhëtitë, divorcet, pusitë, blerjet, shitjet, shtypjet, grabitjet, vrasjet, zbrazjet, trafiqet dhe kontrabandën që bëjnë varkat e vogla çdo natë, apo mitingjet dhe protestat të cilat të gjitha bashkë mbushin ditët dhe netët e një anije që megjithatë lundron.
Duke ndjekur në mënyrë të imët gjithshka ndodh në Shqipëri gjatë një dite, apo gjatë një viti dhe që janë ato që përshkrova më lart natyrisht bëhesh pesimist.
Ne sot mendojmë se jetojmë më keq se ç’duhet dhe shumë më keq se ç’e meritojmë. Prandaj jemi të palumtur. Edhe popujt e tjerë në Europë nuk janë të lumtur. Europa sot, sipas statistikave të veta, është kontinenti më pesimist në botë. Ajo nuk shkëlqen si përpara 30 vitesh dhe dielli i saj i ngroh më pak popujt, përfshi edhe ne.
Në vitin 2013 kam shkruar një libër që quhet Hëna e Shqipërisë, duke u përpjekur të shpjegoj se pse vendi ka hyrë në shenjën e Hënës që do të thotë se njerezit kanë më pak besim tek vetja, tek vendi, tek shoqëria, tek demokracia,tek Europa dhe tek Perëndimi. Të gjitha matjet e lumturisë së shqiptarëve tregojnë se pesimizmi është sëmundja e dekadës. Duket sikur asgjë nuk na kënaq. Shija e jetës ka ndryshuar.
Shqipëria është një vend lunatik, dmth me humor të ndryshueshëm. Shqipëria ka hyrë në shenjën e Hënës sepse planetët dhe yjet që i ndikojnë fatin, Amerika, Demokracia, Ekonomia, Evropa, Kosova dhe Rusia ia diktojnë këtë gjendje. Sipas horoskopit të lumturisë, Shqipëria do qëndrojë edhe disa vjet në shenjën e Hënës. Megjithatë pyetja është kjo : kur ka qenë Shqipëria në shenjën e Diellit?
Pra me pak fjalë në cilën fazë të historisë kemi qenë më mirë?
Nuk po shkoj 600 vite më parë në vitet 1400, kur turqit erdhën për herë të parë në viset tona, as në 1479 kur ra Shkodra, as në 1600 kur Tirana nuk ishte ende qytet, as në 1769 kur digjej Voskopoja, as në 1822 kur vrisnin Ali Pashë Tepelenën, as në 1848 kur gjthë Shqipëria perëndimore nga Lezha deri në Vlorë ishte një mocal malarje, as në 1878 kur humbëm Ulqinin dhe Camërinë në Kongresin e Berlinit, as në 1913 kur humbëm Kosovën,një pjesë të Malit të Zi, një pjesë të Maqedonisë bashkë me Janinën, as në 1914 kur donin të na kthenin prapë nën Turqi,as në 1926 kur nuk kishim pothuajse asnjë spital dhe jo më shumë se dy tre shkolla, as në 1939 kur u pushtuam nga Italia, as në 1943 kur u pushtuam nga gjermanët, as në 1946 kur u zhdukën zgjedhjet pluraliste me ligj,as në 1976 kur në Kushtetutën e Shqipërisë cdo pronë iu dha shtetit dhe kur Shqipëria u deklarua një vend pa fe, as në 1987 kur jetonim me triska dhe hanim mish një herë në muaj, as në 1990 kur nuk kishim drita një muaj pa pushim, as 1997 kur gjysma e Shqipërisë luftoi me armë kundër gjysmës tjetër, as në 2011 kur katër vetë u vranë në bulevard se nuk donin qeverinë, as në 2020 kur pas Kinës patëm mbylljen më të ashpër në planet për shkak të Covid.
Kjo revistë historike tregon se nuk kemi qenë shtet jemi, kemi qenë të pushtuar nuk jemi, kemi qenë pa flamur e kemi, kemi qenë të pafe e kemi, kemi qenë të sëmurë nuk jemi, kemi qenë pa alfabet e kemi, kemi qenë pa prona i kemi, kemi qenë në lindje nuk jemi, kemi qenë të vegjel jemi,kemi qenë vetëm nuk jemi.
Ky është bilanci i 1000 viteve. Dhe nuk është i keq.
Natyrisht nëse një satelit hapësinor ka rregjistruar me xhiro të shpejta gjithë trajektoren e Shqipërisë në 1000 vitet e fundit sigurisht mund të gjejë ditë kur jemi më mirë se sot, por nuk do gjejë kohë kur jemi më mirë se sot.
Që të bëj dallimin e ditëve me kohën. Një ditë në jetën e një populli është të themi, data 31 dhjetor 2022. Kjo ditë mund të jetë më e keqe se shumë ditë të vitit 1935 kur dukej sikur Shqipëria po ndryshonte në Mbretëri. Por nëse krahasimin e bëjmë me kohë, pra me etapa, pa asnjë dyshim koha kur jetojmë, pra 30 vitet e fundit janë më të mirat në histori për Shqipërinë.
Ne nuk kemi qenë kurrë më të lirë të zgjedhim dhe nuk kemi patur kurrë më shumë zgjedhje.
Për sa kohë që lundrojmë drejt Perëndimit, jemi futur në një rutinë pozitive, pavarësisht se shpejtësia është e ulët dhe shumë njerëz ankohen për cilësinë e vozitjes, për ushqimin, për lëkundjet e anijes, për pasigurinë në bord apo për pabarazinë dhe favorizimin e disa udhëtarëve.
Kështu do jetë edhe viti 2023. Një rutinë, gjatë të cilës nuk do na ndodhi asgjë që nuk na ka ndodhur, ç’ka është mirë. Madje është shumë mirë. S’na mbetet vetëm të shijojmë udhëtimin.
Në anije shitet gjithshka me përjashtim të optimizmit. Optimizmi është malli më i kërkuar jo vetëm në Shqipëri. Europa ka kohë që e ka humbur optimizmin dhe nuk po e gjen dot sepse sot, tregu i optimizmit në botë është shumë i kufizuar dhe cuditërisht ndodhet në Lindje, nga ku ne diçka mund të marrim akoma.
Nëse në çdo formë do siguronim pak më shumë optimizëm, udhëtimi ynë mund të jetë pak më i rehatshëm dhe ndoshta më i shpejtë.
Mirupafshim në 2023, Vitin kur nuk do ndodhi asgjë.
Sigurisht asgjë e madhe. Dhe shpresoj asgjë e keqe.
ben blushi
Editorial
28 Dhjetor 2022, 19:19
Ditmir Bushati
Ditmir Bushati
1.Në Samitin BE - Ballkan Perëndimor të mbajtur në Tiranë në kulmin e luftës në Ukrainë, Serbia...
Editorial
28 Dhjetor 2022, 07:53
Deutche Welle
Lufta
Kur Rusia grumbulloi trupat e saj përgjatë kufirit me Ukrainën rreth një vit më parë, shumë ekspertë dhe poli...
Editorial
22 Dhjetor 2022, 13:12
Ditmir Bushati
Foto ilustrim
Pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë ka krijuar një panoramë të re të sigurisë në Europë. BE-ja ...
Editorial
19 Dhjetor 2022, 15:37
Dosja.al
TIRANË- Ajo që ndodhi me pallatin te rruga 'Myslym Keta', konfirmon alarmin se Shteti ka rënë në favor të një bande hajdut&...
Editorial
15 Dhjetor 2022, 20:06
Henry Kissinger
Foto Ilustruese
Lufta e Parë Botërore ishte një lloj vetëvrasje kulturore që shkatërroi epërsinë e Evropës. Li...
Editorial
15 Dhjetor 2022, 13:04
Enton Abilekaj
Enton Abilekaj
Nata e 22 korrikut 2016 ka mbetur në histori si votimi i fundit unanim i Kuvendit të Shqipërisë. Pas shumë negociat...
Editorial
14 Dhjetor 2022, 19:48
Paul Taylor
Harta
Pushtimi rus i Ukrainës më në fund ka zgjuar Bashkimin Evropian për rëndësinë strategjike të Ballkanit Per&eu...
Editorial
11 Dhjetor 2022, 14:36
Arber Zaimi
Arbër Zaimi
Para pak ditësh Edi Rama në Bruksel tha se Jugosllavia paska qenë e mirë shumë, madje më e mirë se Bash...
Editorial
11 Dhjetor 2022, 15:20
Dosja.al
Vuçiç, Rama dhe Kurti
Pas një heshtjeje të pashpjegueshme disaditore, Kryeministri i Shqipërisë vendosi të flasë...
Editorial
9 Dhjetor 2022, 16:54
Meri Lika
Në një shkrim të më hershëm, atëherë kur ju ambasadore e kishit “mprehur shpatën edhe një herë pë...